Projekti GNU zuri fill më 1984 që të zhvillohej sistemi GNU. Emri “GNU” është shqiptimi i rregullt i “GNU’s jo Unix!”. “GNU” shqiptohet gnu, si një rrokje e vetme, si kur thuhet “gru” por duke zëvendësuar r-në me n-në.
Sistemet operativë të ngjashëm me Unix-in ngrihen mbi një koleksion software-esh zbatimesh, librarish, dhe mjetesh programuesi, plus një program për shpërndarje burimesh dhe për komunikim me hardware-in, i njohur si kernel.
Hurd, kerneli i vetë GNU-së, ka edhe ca rrugë deri sa të jetë i gatshëm për përdorim të përditshëm. Ndaj, zakonisht GNU-ja sot përdoret me një kernel të quajtur Linux. Kjo ndërthurje përfaqëson sistemin operativ GNU/Linux. GNU/Linux përdoret nga miliona vetë, edhe pse mjaft prej tyre e quajnë gabimisht “Linux”.
Ç’është Software-i i Lirë?
“Software-i i Lirë” është çështje lirie, jo çmimi. Për të kuptuar konceptin, do të duhej të sillnit në mend “i lirë” si te “fjala e lirë”, jo si te “mall i lirë”.
Software i Lirë ka të bëjë me lirinë e përdoruesit të marrë, kopjojë, shpërndajë, studiojë, ndryshojë dhe përmirësojë software-in. Më saktë, lidhet me katër lloje lirie, për përdoruesit e software-it:
- Liria për të marrë programin, për çfarëdo qëllimi (liria 0)
- Liria për të studiuar se si punon programi, dhe për ta përshtatur për nevojat personale (liria 1). Hyrja në kodin burim është parakusht për këtë.
- Liria për të rishpërndarë kopje, në mënyrë që t’u vini në ndihmë përdoruesve të tjerë (liria 2).
- Liria për të përmirësuar programin, dhe për t’ia dhënë përmirësimet tuaja publikut, që të përfitojë tërë komuniteti (liria 3). Hyrja në kodin burim është parakusht për këtë.