Ja ku dominon sistemi operativ Linux

Sapo është publikuar lista me 500 superkompjuterët kryesorë në botë dhe vihet re se në krye të saj renditet Tianhe-2,

superkompjuteri i zhvilluar nga Universiteti Kombëtar i Kinës për Teknologjinë e Mbrojtjes, i cili sipas standardit Linpack, është klasifikuar si më i shpejti në botë me një performancë prej 33.86 petaflop/sekondë që do të thotë kadrilion llogaritje për sekondë. Përsa i përket sistemit operativ mbizotërues tek këto sisteme të fuqishme, tashmë prej një dekade ky pozicion disponohet nga Linux.

Kur bëhet fjalë për superkompjuterët, Linux është konsideruar që prej vitit 2004 si zgjedhja primare dhe lista në fjalë është një provë më tepër që vërteton se sa dominues është ky sistem tek superkompjuterët.

Në listën e publikuar në nëntor të këtij viti vihet re se 482 superkompjuterët kryesorë në botë funksionojnë me sistemin operativ open-source Linux. Në vend të dytë renditet Unix, vetëm me 11 superkompjuterë, 4 të tjerë funksionojnë me sisteme operative të përziera. Windows aktualisht përdoret vetëm prej 2 superkompjuterëve kryesorë të listës dhe vetëm 1 funksionon me sistem BSD Unix.

Pjesa më e madhe e këtyre kompjuterëve të fuqishëm me sistem Linux përdorin arkitektura Cluster (rreth 86.4%) dhe vetëm 15.4% përdorin dizajnin e proçesorëve masivë paralelë (MPP).

Përsa i përket proçesorëve përdoren më tepër AMD dhe Intel. Për të qenë më të saktë, 82% përdorin proçesorë Intel Xeon, 9% funksionojnë me AMD Opteron, ndërsa 8% përdorin proçesorët IBM Power. Të gjithë këta proçesora ekzekutojnë sistemin Linux tek superkompjuterët.

Vetëm 10% e këtyre superkompjuterëve (rreth 53 sisteme) përdorin teknologjinë e proçesorëve përshpejtues ku 38 prej tyre përdorin proçesorë NVIDIA, 13 sisteme përdorin Intel Xeon Phi dhe vetëm 2 prej tyre përdorin ATI Radeon.

Ndërkohë vlen të theksojmë se Jack Dongarra, një profesor me emër në shkencat kompjuterike po punon për vendosjen e një standardi të ri, të ndryshëm nga Linpack që është përdorur për klasifikimin në fjalë.

Standardi do të njihet si “High performance Conjugate Gradient”. Nuk dihet ende se kur do të publikohet lista e superkompjuterëve sipas këtij standardi, por kurdo që të ndodhë është e sigurt që Linux do të jetë sistemi kryesor operativ. (PCWorld Albanian)