Kjo është faqja e parë e internetit

Kjo është faqja e parë e internetit: http://info.cern.ch/hypertext/WWW/TheProject.html

Një grup shkencëtarësh të Organizatës Europiane të Kërkimeve Bërthamore (CERN), njoftoi nisjen e një projekti për rindërtimin e faqes së parë të internetit me synim “për të nderuar idealet mbi të cilat u ndërtua” kjo shpikje, e konsideruar ndër më të mëdhatë e shekullit të kaluar. Objektivi i shkencëtarëve të CERN është ruajtja e hardware dhe software-ve origjinale që sollën lindjen e faqes së parë të internetit e cila u ndërtua nga profesori britanik, Sir Tim Berners-Lee.

Berners-Lee së bashku me inxhinierin belg  Robert Cailliau shkroi në vitin 1989 propozimin e parë për ndërtimin e faqes së internetit. Një vit më vonë kjo dyshe shkencëtarësh të CERN paraqitën projektin e tyre.

Projekti  synonte afrimin e komunikimit mes shkencëtarëve të CERN  nga e gjithë Europa. Ata pjesën më të madhe të kohës e kalonin nëpër laboratorët dhe auditorët e universiteteve ku jepnin mësim dhe për të shkëmbyer përvojën e tyre në punimet shkencore duhej ose të paraqiteshin fizikisht pranë CERN-it në Gjenevë të Zvicrës, ose të përdornin metoda të vjetra si letrat apo telefonat fiksë.

Njëra harxhonte kohë, tjetra dekonspironte privatësinë e zbulimit shkencor. Prandaj nevojitej një rrugë më e shpejtë dhe më e sigurtë që shkencëtarët e CERN-it të kontaktonin me njëri-tjetrin.

Në fund të vitit 1990 Tim Berners-Lee  nisi të vendosë në funksion idenë e tij në një kompjuter NeXT në ambientet e CERN. Ky kompjuter është adresa e parë e një faqe interneti dhe në të edhe sot e kësaj dite lexohet me shkrim dore “Kjo makinë është server. MOS E FIKNI!” (This machine is a server. DO NOT POWER IT DOWN!).

Sot, 23 vite më vonë  inxhinierët e CERN paralajmërojnë rikrijimin e së njëjtës faqe, për nostalgji si dhe për të kujtuar 20-vjetorin e vendimit të CERN për të hequr dorë nga të drejtat e autorit dhe t’ia dhuruar gjithë botës internetin.